Quhet Shefki Kordalli, 97 vjeç. Ai është personi më i vjetër i qytetit të Bilishtit. Por kjo nuk është e vetmja veçanti e tij, pasi Shefkiu nuk është nga ata të moshuarit që kanë zënë krevatin për shkak të problemeve a sëmundjeve. Prej momentit që ka dalë në pension, që 35 vjet më parë, 97 vjeçari ecën nga 5 km në ditë, një ritual që vijon rregullisht dhe i jep jetë e shëndet.
Shefkiun e takuam teksa doli nga banesa e tij, gati për të nisur ecjen e përditshme. Ai na tregon arsyen se pse ka zgjedhur të bëjë këtë lloj lëvizje, madje duke bërë apel edhe për të rinjtë që të merren me sport, pasi në këtë mënyrë do të jenë më të shëndetshëm.
Shefki Kordalli ka qenë valltar. Ai ka marrë pjesë në festivale të ndryshme brenda e jashtë vendit duke përfaqësuar qytetin e tij. Është ky profesion që ka përbërë edhe motivin më të bukur të jetës së tij.
97 vjeçarin e njohin pothuajse të gjithë në qytetin e Bilishtit duke e përshëndetur çdo ditë kur ai bën ecje nëpër rrugë.
Ndahemi nga Shefki Kordalli duke i uruar shëndet e jetë të gjatë. I moshuari ka vijuar sërisht ritualin e tij të përditshëm, si për të na treguar se marrja me sport dhe ecja në natyrë është një nga zgjedhjet më të mira që njeriu mund të bëjë për një jetë më të shëndetshme.