Shënimi i aksidenteve në punë me pasojë vdekjen në sektorin shtetëror, ka bërë që Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore të shtrijë inspektimet edhe në institucionet publike. Kjo nisur nga fakti, se vitin e kaluar nga 5 aksidente të ndodhura, 3 prej të cilave u shënuan në sektorin shtetëror. Rina Pëllumbi, përgjegjëse e sektorit të Inspektimeve bën me dije se këto inspektime janë përfshirë në planin e punës së këtij viti
“Fushata sensibilizuese u përkthye në shifra. Një nga treguesit që u analizua, ishte numri i aksidenteve në punë, ku nisur nga 2019 deri në 2022, në rajonin e Korçës në subjekte kanë ndodhur 31 aksidente, nga të cilat 9 në sektorin shtetëror dhe 22 në atë privat. Nga 5 aksidente që kanë ndodhur me pasojë vdekjen, 3 prej tyre në sektorin shtetëror, duke zënënjë numër të konsiderueshëm në numrin e përgjithshëm të aksidenteve në punë. Ndaj pjesë e inspektimeve do të jenë edhe institucionet publike”, tha përgjegjësja e sektorit të Inspektimeve
Pëllumbi bën me dije se gjatë vitit që lamë pas, ky inspektoriat ka kryer në total 585 inspektime për çështje të planifikuara dhe 138 inspektime jashtë planifikimit, ku janë përfshirë ato me urdhër nga Ministri, çeshtje me nënkontraktor, ato të indikuara nga institucione të tjera , çeshtje për shkelje flagrante, ankese si dhe ato për aksidente në punë. Sektorët ku janë kryer inspektime kanë qenë ai i tregtisë, bar-restoranteve, ku është shënuar numri më i lartë i inspektimeve si edhe tek ndërmarrjet prodhuese, si dhe inspektimet në sektorët bujqësi-peshkim, miniera kariera, elektricitet, ndërtim, transport telekomunikacion, financë dhe aktivitete të tjera.