Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është ndalur sot në Korçë për të inaguruar zyrën e ndihmës juridike falas, të 20-ën në vend, e cila do të ofrojë shërbime për kategoritë në nevojë. Ai i është përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me problematikat që ka sjellë harta e re gjyqësore duke u shprehur se ajo do të japë frytet e veta në momentin e plotësimit të të gjitha vendeve vakante me gjyqtarë e prokurorë.
Ministria e Drejtësisë ka analizuar në themel ngjarjen e Peqinit duke kaluar në një sistem të përforcuar, si dhe duke riparë skemat e sigurisë në burgje.
Ministri Manja nuk ka preferuar të komentojë ndryshimet e fundit në qeveri ndërsa i ka bërë një thirrje kolegëve të opozitës të bashkojnë votat për të votuar projektligjin për amnistinë i cili u jep lirinë rreth 700 të dënuarve.