Akademia e Shkencave me financim të qeverisë shqiptare është duke punuar për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, i cili pritet të ketë në përbërje të tij më shumë se 110 mijë fjalë, pa llogaritur këtu kuptimet e tyre, mbi 11500 njësi frazeologjike si dhe shumë njësi të tjera të ligjërimit. Lajmi është bërë i ditur nga prof. Dr. Ali Jashari, bashkëhartues i fjalorit, gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë e studentë në kuadër të veprimtarive kushtuar Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972.
Për këtë fjalor është duke u punuar prej vitit 2021, dhe deri më tani ka përfunduar puna më e madhe për hartimin e tij. Janë punonjës shkencore nga të gjitha trojet shqipfolëse të cilët janë duke bashkëpunuar në këtë projekt për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, i cili pritet të dalë në formë elektronike vitin e ardhshëm dhe më pas do të botohet edhe në letër.