Rreth 70 banorë të fshatit Dishnicë janë mbledhur për të protestuar për ujin e pijshëm këtë të mërkurë. Ata kërkojnë që ndërmarrja e ujësjellësit të marrë masa të menjëhershme pasi uji në shtëpitë e tyre vjen i ndotur dhe është i pakonsumueshëm. Në kushte të tilla, ata janë detyruar të blejnë ujë duke u shtuar kështu kostot për ta. Ata shprehen se ujin e fshatit e kanë pasur nën menaxhimin e tyre dhe se ka investuar i gjithë fshati për të patur ujë të pastër ndaj kërkojnë që sërisht, të jenë vetë ata që ta menaxhojnë.
Edhe pse banorët shprehen se i kanë vënë në dijeni herë pas here instancat përkatëse, në një komunikim me përfaqësues të Ujësjellës Kanalizime Korçë bëjnë të ditur se nuk iu është shprehur asnjë shqetësim nga banorët apo të kenë marrë ndonjë kërkesë zyrtare lidhur me këtë problematikë, megjithatë sipas tyre në këtë fshat janë bërë analiza të ujit dhe rezulton se ai është i pastër. Në fshatin Dishnicë jetojnë rreth 2000 banorë.