Ngritja dhe aplikimi i një programi kombëtar për trajnimin e mësuesve në shkenca dhe në teknologji për të rritur nivelin profesional të tyre është prioritet i qeverisë shqiptare. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një bashkëbisedimi me mësuesit e gjimnazit Petro Nini Luarasi në Tiranë.
Ministrja Manastirliu tha se Programi Kombëtar i Trajnimit të Mësuesve do të do të jetë me dy faza, ku do të përfshihen mësuesit e shkencave dhe mësuesit e TIK dhe më pas ky program kombëtar do të zhvillohet edhe në lëndët që janë prioritet absolut, si gjuhë-letërsia dhe lëndë të tjera. Gjatë këtij takimi, Ministrja Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar, të cilët do të kenë rritje domethënëse të pagave me buxhetin e ri.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, u ndal edhe tek administrimi i procesit të Maturës Shtetërore. Ajo tha se testet paraprake të maturës do të fillojnë që në muajin dhjetor, duke vendosur theksin tek rezultatet e provimeve, të cilat do të jenë vendimtare për hyrjen dhe pranimin e nxënësve në universitete.