• Korça

Amnisti për të burgosurit dhe personat nën hetim, pritet të përfitojnë rreth 570 të dënuar

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka firmosur projektligjin për amnistinë, duke përmbushur kështu premtimin e dhënë. Rreth 570 të burgosur ose persona nën hetim pritet të përfitojnë nga amnistia. Sipas kritereve të përcaktuara, nga aministia në burgje do të përfitojnë meshkujt e dënuar deri në 3 vite burgim dhe femrat e dënuara deri në 4 vite burgim. Për të dyja këto kategori, dënimet duhet të jenë dhënë deri më datë 30 Qershor 2023. Gjithashtu përfitojnë edhe personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet; personat femra, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet; personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç; personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 65 vjeç; personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, u zbritet 1 vit e gjysëm për personat e dënuar gra dhe të mitur dhe 1 vit për personat e dënuar, burra. Sipas ligjit për amnistinë, do të pushohet ndjekja penale për pjesen më të madhe të kundërvajtjeve penale që dënohen deri në 2 vjet. Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm, të dënuarit për vrasje dhe subjektet që hetohen nga SPAK. Ky projektligj tashmë i përfunduar dhe fimosur nga ministri Manja do duhet të kalojë për diskutim dhe miratim në Komisionin e Ligjeve dhe më pas i kalohet Kuvendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *