• Korça

Arrestohet 65 vjeçari nga Drenova, sekuestrohen mallra ushqimore dhe etiketa të falsifikuara

Megjithëse i ishte bllokuar aktiviteti, një 65 vjeçar nga Drenova vijonte të prodhonte mallra industriale e ushqimore në subjektin e tij tregtar në qytetin e Pogradecit. Pas një kontrolli të ushtruar është kryer arrestimi i tij në flagrancë, si dhe janë bllokuar një sasi mallrash e etiketash të falsifikuara.

Policia ka arrestuar në flagrancë një 65 vjeçar i cili vijonte të prodhonte në mënyrë të kundërligjshme, mallra industrialë dhe ushqimorë, në subjektin ku i ishte bllokuar aktiviteti. Kanë qenë specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë, që në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit të kundërligjshëm të mallrave industrialë dhe ushqimorë, falsifikimit të vulave apo stampave dhe informalitetit, kanë bërë arrestimin në flagrancë i shtetasit: S. F., 65 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas ushtronte veprimtari të paligjshme në subjektin e tij tregtar në qytetin e Pogradecit, kanë organizuar punën me qëllim verifikimin e rastit. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e shtetasit S. F., ku prodhoheshin dhe përpunoheshin artikuj bujqësorë, të mishit dhe peshkut, u gjet një sasi e konsiderueshme kavanozash qelqi me vëllime të ndryshme të mbushura me produkte ushqimore të konservuara, një pjesë e të cilave ishin pa etiketë, ndërsa pjesa tjetër kishte mbishkrime të kompanisë në pronësi të 65-vjeçarit, e cila aktualisht ndodhet me status të bllokuar nga institucionet përkatëse. Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën mbi 15 000 etiketa ngjitëse me logon e subjektit të tij, me emërtime produktesh ushqimore të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *