Tërheqja e më shumë turistëve të huaj, diversifikimi i flukseve turistike apo i produkteve që ofrohen si dhe shtrirja e turizmit gjatë gjithë javës, mbeten ndër sfidat e zhvillimit të turizmit në Korçë, të cilat do të bëjnë të mundur që qyteti juglindor të vazhdojë të jetë në krye të listës së destinacioneve turistike në Shqipëri. Këtë e pohojnë edhe personat të cilët në guidat e tyre turistike zgjedhin gjithnjë Korçën si ndalesën e grupeve të huaja.
Për të patur në Korçë, një numër më të lartë të turistëve të huaj, të cilët bëjnë të mundur shtrirjen e turizmit gjatë ditëve të javës, nevojiten të tjera investime të rëndësishme si dhe politika të tjera mbështetëse nga pushteti qëndror apo lokal.
Vitet e fundit në Korçë është investuar shumë për zhvillimin e turizmit, si një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë lokale, duke kaluar nga një turizëm kaotik në një turizëm të strukturuar. Por që Korça të ngelet qyteti model në turizëm, nevojitet edhe diversifikimi i produkteve që ofron, për të tërhequr një fluks më të lartë turistësh.