Pogradeci ndalet në Orikum pas tri fitoreve radhazi, por vijon të jetë kryesues. Përtej barazimit 1-1, ndeshja e djeshme në Orikum i kishte të gjitha, që nga tensioni, përplasjet mes lojtarëve dhe stafeve, 5 kartonët e kuq dhe një autogol në shtesë. Katër kartonët e kuq në fundin e pjesës së parë i takuan trajnerëve respektivë: Sherif Idrizaj i Orikut dhe Samuel Nikaj i Pogradecit, por gjithashtu ndihmësve të tyre, Argent Halilaj dhe Anesti Lipo. Në minutën e 78-të u ndëshkua me të kuq edhe mbrojtësi i Orikut, Suad Bega. Ka qenë një takim shumë i luftuar dhe në fund të dyja ekipet kanë ndarë nga një pikë. Golat ishin rezervuar në pjesën e dytë. Fillimisht shifrat zhbllokohen nga Llojaj për Orikun, ndërsa kur po luheshin minutat shtesë, mbrojtësi Koreshi, në një rrëmujë në zonë, shkakton autogol dhe i jep një pikë me shumë vlera Pogradecit që vijon të kryesojë kampionatin me 10 pikë.
Ndërkaq Maliqi mori pikën e parë në këtë sezon duke barazuar 0-0 në shtëpi ndaj Butrintit në një duel tepër emocionues. Meritë absolute për këtë barazim ka padyshim portieri Kostandin Dramolli me disa pritje fantastike. Vlen të theksohet se maliqarët luajtën me 10 lojtarë për një pjesë, pasi mbrojtësi Isufi, u ndëshkua me karton të kuq. Pavarësisht përpjekjeve të skuadrës së Novit për të gjetur golin e avantazhit, ky nuk erdhi. Në pjesën e dytë, Maliqi u mbrojt me të gjitha forcat, duke mos lënë shumë hapësira në prapavijë dhe duke e mbyllur sfidën në barazim. Pika e parë për maliqarët që ndeshjen e ardhshme e luajnë në transfertë përballë Labërisë.
Turbina mposhti minimalisht Devollin dje në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut. Fitorja e parë në kampionat për vendasit që lënë fundin e renditjes dhe shohin përpara. Të mbështetur nga tifozët e zjarrtë, cërrikasit luajtën më mire se Devolli. Këta të fundit u munduan të rrezikonin me kundërsulme, por nuk patën forcë për të shkuar te goli. Humbja e parë për Devolln në kampionat që vijon të mbetet në kuotën e 4 pikëve pas 3 ndeshjeve të luajtura deri tani.