140 fëmijë nga qyteti i Korçës që marrin pjesë në kurset gjuhë programimi dhe robotikë janë mbështetur me bursa nga ana e bashkisë së Korçës. Kryebashkiaku Sotiraq Filo thotë se ky është viti i tretë që bashkia mbështet me bursa fëmijët në masën 70% dhe kjo për shkak të vizionit për zhvilluar sa më shumë sektorin e teknologjisë së informacionit.
Bashkia e Korçës mendon që vitin e ardhshëm të zgjerojë edhe më shumë jo vetëm numrin e fëmijëve që do të mbështeten me bursa, por edhe llojin e trajnimeve që do të ofrohen në fushën e teknologjisë së informacionit.
Në mbështetje të programit të bashkisë për zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit prej disa vitesh zhvillohen edhe kurse për të rinjtë dhe të rejat, të cilët nëpërmjet marrjes së njohurive në gjuhë programimi, robotikë apo ëeb design mund të zgjedhin edhe profesionin e së ardhmes duke marrë të ardhura të konsiderueshme pa qenë nevoja të largohen nga qyteti i Korçës.