Fermerët në mbarë vendin, do ta kenë më të lehtë punën e tyre, për mbjelljen e kulturës së duhur në tokën e duhur, falë informacionit të saktë me WEB-GIS, me të dhënat specifike të tokës. Ky sistem i përmirësuar elektronik për të dhënat e tokës bujqësore në Shqipëri, i aksesueshëm në e-Albania, orienton fermerët të mbjellin aty ku toka është më e përshtatshme, përmes të dhënave dhe informacineve që gjeneron duke ndihmuar kështu prodhuesit bujqësor, për më shumë efektivitet, prodhimtari, ulje kostosh dhe ulje të ndotjes së mjedisit. Vetë fermerët shprehen se ky shërbim do t’u lehtësojë punën.
Ekspertët e bujqësisë shprehen se informacioni WEB-GIS, online në e-Albania është një mundësi më tepër edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe minimizimin e erozionit në zonat e rrezikut. Gjithashtu është një orientim efikas për përdorimin e plehrave bujqësore dhe për skemat ujitëse dhe kulluese.