Në kuadër të ditës botërore të shëndetit mendor, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë ka organizuar një aktivitet, në qendër të të cilit ishin personat që marrin shërbim pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor dhe “Shtëpizat e mbështetura” në qytetin e Korçës. Vitet e fundit vihet re një rritje e numrit të personave që shfaqin probleme të shëndetit mendor. Aktualisht në qarkun e Korçës, janë më shumë se 3600 persona të kartelizuar pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor. Pandemia e Covid-19 ka ndikuar në shtimin e pacientëve me simptoma të ankthit dhe depresionit.
Mjekja psikiatre, Nikolina Bode thotë se një vëmendje e veçantë duhet të tregohet me adoleshentët.
Nisur nga statistikat gjithnjë e në rritje të numrit të personave që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, specialistët thonë se nevojitet më tepër ndërgjegjësim dhe sensibilizim për të kërkuar ndihmë në kohë e për të marrë shërbimin e duhur.