Rriten rastet e kancerit të gjirit në Korçë. Nga janari i këtij viti e deri tani janë 53 raste të reja të diagnostikuara me kancer gjiri, prej të cilave 49 femra dhe 3 meshkuj. Sipas mjekes onkologe Jusilda Dervishi, shtim i rasteve ka ardhur dhe për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të popullatës për t’u diagnostikuar, duke bërë ekzaminime më të shpeshta sesa vite më parë.
Mjekja shton më tej se rastet më të shumta janë në zonat rurale, kryesisht në fshatrat me popullsi me të madhe, duke theksuar se ekzaminimet për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, janë shumë të nevojshme.
Mjekja Dervishi ka bërë me dije se në Spitalin Rajonal të Korçës ofrohen të gjitha shërbimet, përfshi këtu edhe kimioterapinë. Prej fillimit të këtij viti janë kryer më shumë se 800 mamografi, ndërkohë që përgjatë një jave në qytet ka qënë e pranishme mamografia e lëvizshme, duke ofruar ekzaminimin falas për të gjitha gratë dhe vajzat.