• Korça

Bashkia Korçë nis aksionin / Disiplinimi i rrjeteve të shërbimeve telefonike dhe elektronike

Kjo është pamja që ofrohet mes blloqeve të banimit pothuajse në të gjithë qytetin e Korçës, për shkak të gërshetimit të kabllove të korrentit, internetit dhe telefonit. Një pamje aspak estetike dhe herë-herë edhe e rrezikshme, me të cilën përballen banorët e pothuajse të gjitha lagjeve.

Prej disa ditësh Bashkia Korçë në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ka ndërmarrë një aksion në lagjen 10 të qytetit për heqjen e kabllove të panevojshme dhe disiplinimin e rrjeteve të shërbimeve telefonike dhe elektronike, duke kryer çinstalimin e kabllove të vendosura nga kompani të ndryshme.

Pas komunikimit të vazhdueshëm përmes shkresave zyrtare dhe paralajmërimit të operatorëve për marrjen e masave, në mungesë të reagimit të tyre është dashur ndërhyrja e punonjësve të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike për heqjen e kabllove.

Kjo situatë i ka gjetur të papërgatitur banorët e kësaj lagjeje, të cilët nuk ishin informuar më parë për ndërprerjen e shërbimit të internetit apo të telefonit. Nga ana tjetër ata thonë se ky aksion ishte i domosdoshëm.

Burime pranë bashkisë Korçë bëjnë me dije se aksioni do të vijojë edhe në lagje te tjera të qytetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *