Në kuadër të plotësimit të nevojave të qytetarëve për aplikim për karta ID dhe pasaporta, zyrat e aplikimit për dokumente biometrike do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë datë 26 gusht. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme ku njoftohet se, “zyrat e aplikimit për letërnjoftime dhe pasaporta, do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në aplikimin e qytetarit të fundit në radhë, në qytetet e mëdha”. “Vendimi i Gjendjes Civile dhe Kompanisë Koncesionare synon të lehtësojë fluksin e aplikimeve gjatë ditëve të javës, rritur ndjeshëm këto ditë gushti, me ardhjen në atdhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë. Riaplikimi për ID kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Pavarësisht fluksit të shtuar të aplikimeve gjatë muajit Gusht, në zyrën e aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Korçës puna ka ecur normalisht pa krijuar rradhë pritjeje për qytetetarët.
Burime pranë zyrës së aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Korçës bëjnë me dije se gjatë muajit Gusht ka patur një fluks aplikimesh, duke rregjistruar mbi 100 aplikime në ditë për letërnjoftime dhe pasaporta, ku rreth 70% e atyre që aplikojnë për tu pajisur me këto dokumente janë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.