Çdo 15 gusht festohet Fjetja e Hyjlindëses Mari ose siç njihet ndryshe Dita e Shën Marisë, për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Kjo ditë e shenjtë kremtohet nga besimtarët ortodoksë si dita kur Shën Maria iu bashkua birit të saj, në botën e përjetshme. Qindra besimtarë i janë drejtuar që në orët e para të mëngjesit manastirit të “Shën Marisë” që ndodhet në fshatin Boboshticë të Korçës, për të kryer ritet fetare e për të ndjekur liturgjinë hyjnore, të drejtuar nga At Mihali, i cili ka dhënë urimin e tij për gjithë besimtarët duke bërë të ditur domethënien e kësaj dite të shenjtë.
Pasi kanë ndjekur liturgjinë e shenjtë besimtarë ortodoksë kanë ndezur qirinj e janë lutur për shendet e mbarësi në familjet e tyre.
Festa e Shën Mërisë është një prej datave më të rëndësishme të kalendarit ortodoks pas Krishtlindjes dhe Pashkëve. Kjo ditë e shenjtë është kremtuar edhe në kisha të tjera të Tërëshenjtës Mari në Mitropolinë e Korçës.