Menaxhimi i rasteve të zjarreve në qarkun e Korçës kërkon kapacitete njerëzore si dhe mjete të shumta. Burime nga ana e Prefekturës së qarkut të Korçës kanë bërë të ditur shifrat zyrtare të këtyre kapaciteteve. Sipas këtyre burimeve mësohet se në të gjithë qarkun e Korçës janë 139 persona të cilët menaxhojnë rastet e zjarreve nga të cilët 119 aktivizohen direkt në terren në rastet e zjarreve. Ndërkohë në të gjithë qarkun ndodhen 19 automjete zjarrëfikëse si dhe 8 automjete të tjera të cilat vihen në përdorim në rastet e zjarreve. Prej tyre ka edhe automjete zjarrëfikëse të cilët mund të përdoren edhe në zonat malore ku rrugët janë të vështira, ndërsa vijon të jetë i vështirë menaxhimi i rasteve të zjarreve në zonat tepër të thella malore ku nuk ka rrugë dhe terreni është tepër i thyer.
Për të shuar zjarret në të gjithë qarkun janë në dispozicion edhe 60 pompa uji dhe 6 autopompa. Pjesa më e madhe e personelit por edhe e mjeteve në dispozicion sipas burimeve zyrtare nga Prefektura e qarkut të Korçës, ndodhen në Bashkinë Korçë, por sigurisht që në rastet e zjarreve ndërhyjnë edhe vetë banorët, si dhe në varësi të sipërfaqes dhe rrezikshmërisë që paraqet zjarri në ndihmë vijnë edhe forcat e armatosura, apo edhe ndihma nga jashtë vendit.