Policia e Shtetit ka mundur të zbulojë 55 raste të zjarrvënies së qëllimshme në territorin e vendit, në pyje, ullishta e zona të gjelbra. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale ku ka përgëzuar uniformat blu për këtë arritje. Ministri gjithashtu bën të ditur se zjarrvënia në pyje sipas ndryshimeve të reja në Kodin Penal dënohet deri në 15 vite burg. Gjithashtu ai ka vënë në dukje edhe gatishmërinë e Forcave të Armatosura dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile për të ndërhyrë në rastet e zjarreve.
“Forcat e Armatosura, Agjencia e Mbrojtjes Civile janë përherë të gatshme, në rastet kur kërkohet ndërhyrja e tyre nga autoritetet vendore. Me rëndësi janë sinjalizimi i hershëm, koordinimi dhe monitorimi i situatës për të shmangur emergjenca më të mëdha” është shprehur ministri i Mbrojtjes në postimin në rrjetet sociale.
Më herët edhe kryeministri Edi Rama është fokusuar pikërisht të problematika e zjarrvënies së qëllimshme duke bërë apel për mungesën e ndëshkueshmërisë së plotë si pasojë e vendimmarrjes në gjykatat e rretheve. Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje prokurorëve e gjyqtarëve që të zbatojnë rreptësisht ligjin për rastet e zjarrvënies.
“Në 79 raste zjarrëvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht. 20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë, por ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrvënia mbi një pasuri kaq të vyer, që është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, po edhe e mbarë njerëzimit. Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrëvënësit. U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë. U bëj gjithashtu apel prokurorëve dhe gjykatësve që kanë në duar rastet e lartpërmendura, që të zbatojnë rreptësisht ligjin dhe t’i dalin për Zot kësaj pasurie të vënë në breza, e cila u takon brezave të ardhshëm, po edhe krejt njerëzimit”, ka përfunduar postimin kryeministri Edi Rama.