Marrja e një sërë masash që do të garantojnë mbarëvajtjen e sezonit veror kanë qenë në fokus të një takimi të fundit të zhvilluar në Prefekturë, sipas udhëzimeve të dhëna nga Kryeministri i vendit Edi Rama. Pjesë e takimit ishin anëtarë të task-forcës ndërinstitucionale të sezonit veror në nivel Qarku si dhe Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit të thirrur nga Prefekti Nertil Jole për të diskutuar mbi ecurinë e deritanishme të mbarëvajtjes së sezonit veror, si edhe për vijimin e administrimit sa më të mirë të tij. Në një postim në rrjetin social facebook Jole bën me dije se gjatë takimit, u bë një vlerësim për bashkëpunimin institucional si dhe u diskutua mbi detyrat që duhen realizuar deri në mbyllje të sezonit turistik veror sikurse janë garantimi i Rendit dhe Sigurisë Publike në zonat turistike, ofrimi i shërbimeve të kujdesit shëndetësor, vijimi i aksionit të pastrimit në territorin e cdo bashkie, garantimi i furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, kontrollet për higjienë të lartë në subjektet turistike, masat për menaxhimin e mbetjeve në zonat turistike dhe mbrojtjen nga ndotja akustike, ushtrimi i vazhdueshëm i kontrollit në të gjitha stacionet e plazhit në vijën bregliqenore, etj. Në fjalën e tij, Prefekti citon:
Thirra sot në Prefekturë, një muaj pas takimit në Drilon të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, anëtarët e Task-Forcës Ndërinstitucionale të Sezonit Turistik Veror në nivel qarku, në zbatim të urdhërit të Kryeministrit, për të diskutuar rreth ecurisë së deritanishme të mbarëvajtjes së sezonit veror, por më së shumti për vijimin e administrimit sa më të mirë të sezonit veror.
“Rajoni ynë përbën një pjesë mjaft të rëndësishme të destinacioneve turistike në vend. Korça është tashmë e vizituar në çdo stinë, Pogradeci është i lidhur më së shumti me turizmin veror, ndërkohë që interesi i vizitorëve po orientohet edhe drejt natyrës e klimës malore të Kolonjës, Maliqit, Pustecit e Devollit. Jemi ende në mes të sezonit turistik veror dhe rajoni ynë vijon të vizitohet nga shumë turistë vendas e të huaj, ndaj është e detyrë e ne të gjithëve që të sigurohemi se ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve është sa më cilësor dhe mjedisi sa më mikpritës.”
Prefekti Jole edhe njëherë ka kërkuar nga përfaqësuesit institucionalë që të zbatojnë të gjitha detyrat e ngarkuara për mbarëvajtjen e Sezonit Turistik Veror 2023, si dhe më shumë punë për promovimin e turizmit.