Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Korçës është miratuar ndihma ekonomike nga 6% e fondit të kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike për periudhën 1-30 qershor, muaj për të cilin fondi në dispozicion kap shumën rreth 270 mijë lekë. Nga ky fond përfitojnë 63 familje të përzgjedhura sipas kritereve specifike, 27 familje përfitojnë kompensim të energjisë elektrike dhe 15 familje përfitojnë ndihmë ekonomike nga fondi i buxhetit vendor. Të tjera pika të rendit të ditës të cilat kanë marrë miratimin e këshilltarëve bashkiakë kanë qenë ato në lidhje me sistemin e pikëzimit për zgjedhjen e përfituesve për programet subvencionimi i interesave të kredisë, subvencionimi i qirasë, si dhe për programin e banesave sociale me qira.
Gjithashtu këshilltarët kanë miratuar disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të zgjedhur apo të emëruar në institucionin e bashkisë, rritjen e planit të buxhetit të vitit 2023 dhe përdorimin e transfertave të pakushttëzuara sektoriale për rritjen e pagave dhe sigurimeve shoqëore e shëndetësore. Janë miratuar gjithashtu tavanet përfundimtare të shpenëzimeve për programin buxhetor afatmesëm 2024 – 2026 në nivel programi, si dhe është dhënë pëlqimi për privatizimin e një objekti te ish parku automobilistik i Korçës. Këshilltarët kanë miratuar edhe pasqyrat financiare për vitin 2022 të qendrës sportive Korçë sh.a.