Krahas virozave të shumta të cilat janë duke qarkulluar në këtë periudhë, në Korçë nuk kanë munguar rastet e fëmijëve që janë prekur nga sëmundja ngjitëse e Variçelës, apo siç quhet ndryshe lia e dhenve. Edhe pse kjo sëmundje infektive e ka pikun e saj në dimër dhe në pranverë, mjekët thonë se gjatë këtyre dy javëve të para të korrikut ka patur rishfaqje të kësaj sëmundjeje, por rastet e fëmijëve të prekur kanë qënë sporadike. Robert Rado, shef i shërbimit të pediatrisë, thotë se si çdo sëmundje edhe variçela ka shkallët e saj, por fatmirësisht shumica e rasteve e kalojnë në formë të lehtë, pa qënë e nevojshme trajtimi spitalor.
Një tjetër rast komplikacioni sipas mjekut Rado është edhe variçela e infektuar, ndaj këshillon prindërit të tregojnë kujdes.
Në rastet e infektimit të fëmijëve me këtë sëmundje ngjitëse mjeku pediatër apelon për izolim të rasteve, pasi kjo parandalon përhapjen e sëmundjes tek fëmijët e tjerë.
Infeksionistët thonë se kjo sëmundje vijon të ketë përhapje në vendin tonë, pasi në kalendarin e injeksioneve të detyrueshme nuk është futur ende vaksina kundër variçelës. Specialistët theksojnë se variçela kalohet më lehtë në moshë të vogël, pasi kur fëmija është më i rritur shfaq më tepër komplikacione.