Të gjitha ata që kanë dëshirë të vijojnë studimet e larta gjatë vitit akademik 2023 – 2024, por ende nuk kanë dhënë provimet e maturës shtetërore, tashmë kanë edhe një tjetër mundësi. Data 12 dhe 13 korrik janë përcaktuar si datat kur të interesuarit mund të plotësojnë formularët A1 dhe A1-Z, nëpërmjet të cilëve mund të regjistrohen për të dhënë të gjitha provimet e maturës ose vetëm disa prej tyre siç janë lëndët me zgjedhje. Formulari A1 plotësohet nga maturantët të cilët këtë vit kanë përfunduar studimet, ndërsa formulari A1/Z plotësohet nga të gjithë ata qytetarë të cilët i kanë përfunduar studimet deri në vitin 2022, por ende nuk kanë dhënë një ose disa provime të maturës shtetërore, apo edhe nga ata maturantë që kanë përfunduar gjimnazin jashtë vendit.
Aplikimi gjatë datave 12 dhe 13 korrik kryhet në e-albania, ndërsa pas përfundimit me sukses të aplikimit, maturanti apo kandidati duhet të paraqitet pranë shkollës së mesme për të përfunduar dhe konfirmuar aplikimin. Në mjediset e shkollës së mesme kandidati kontakton mbikqyrësin e procesit të aplikimit i cili vendos kodin e aplikantit në sistem dhe konfirmon aplikimin e formularit A1/Z. Formulari i plotësuar printohet, nënshkruhet nga kandidati dhe mbikqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës.