• Korça

Ndryshon procedura për aplikimin në Universitet. Regjistrimi vetëm në 2 raunde, reduktim i dokumentacionit të nevojshëm

Ndryshojnë procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në universitet. Për këtë vit të ri akademik maturantët do të mund të rregjistrohen në dy raunde dhe jo në tre siç ka funksionuar në vitet e kaluara. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, përmes një statusi në rrjete sociale, ku ka bërë të ditur miratimin e udhëzimit për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë, ku janë parashikuar disa risi për vitin e ardhshëm akademik 2023-2024. “Ulja e numrit të raundeve të regjistrimit nga 3 në 2 shkurton kohëzgjatjen e procedurave për aplikim dhe regjistrim në universitete. Viti i ardhshëm akademik do të fillojë më 2 tetor 2023 dhe shkurtimi i një raundi është në funksion të fillimit të procesit të mësimdhënies.” ka thënë Kushi. Pas raundit të dytë, në programet e studimit ku kanë mbetur kuota të lira pranimi, kandidatët që kanë aplikuar në U-albania mund të vijojnë të regjistrohen drejtpërdrejtë në Institucionet e Arsimit të Lartë, deri në plotësimin e gjitha kuotave thuhet më tej në këtë postim të ministres. Gjithashtu një tjetër risi që do të aplikohet këtë vit të ri akademik është edhe fakti se procedurat për aplikimin dhe regjistrimin e kandidatëve do të jetë e njëjtë edhe për ata me diplomë të huaj të shkollës së mesme, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo të huaj, ndërsa do të reduktohet dokumentacioni që duhet dorëzuar për regjistrim, duke lehtësuar procedurat për të gjithë kandidatët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *