• Korça

Basha në Korçë/ Prezantohet “Aleanca Qytetare për Demokraci”

Ish kryetari i PD Lulzim Basha ka qenë në Korçë në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike. Ai ka prezantuar atë që e ka quajtur një model të ri në politikbërje, Aleancën Qytetare për Demokraci. Nëpërmjet saj Basha synon të çlirojë ekonominë dhe të çojë përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-s dhe do të mundësojnë lista të hapura, vettingun e politikanëve, votën e emigrantëve dhe kufizimin e mandateve.

“Detyra e Partisë Demokratike është të bëhet sa më shpejt gati për ndryshimin e madh që duan shqiptarët. Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, që besojnë te demokracia dhe një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe. Ne duhet të rrisim mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë. Për këtë arsye duhet të realizojmë ndryshimin e formulimit të Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit. Duhet të kërkojmë që numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti. Ne duhet të heqim kontrollin politik të qeverisë nga punonjësit e administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë. Gjithashtu, zgjedhja e drejpërdrejt e Presidentit nga populli si mbartës dhe balancues i tre pushteve, garantues i mbarëvajtjes së jetës politike dhe i zgjidhjes së krizave, deri në të drejtën për të shpërndarë parlamentin”.

Projekti ynë politik, tha Basha pjesë e së cilës është dhe Platforma e ndryshimeve të sistemit elektoral, është reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një model të ri politik. Bashkë kemi mundësinë ta ndryshojmë këtë realitet dhe të çlirojmë potencialin e jashtëzakoshëm që ka Shqipëria, ka përfunduar fjalën e tij Basha gjatë takimit që zhvilloi në qytetin e Korçës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *