Aksidentet e shumta me pasoja të shkaktuara gjatë muajve të fundit në qarkun e Korçës kanë bërë që policia rrugore të shtojë kontrollet dhe masat parandaluese në të gjitha akset rrugore kryesore dhe dytësore. Kryesisht për këto kontrolle janë përdorur radarë dhe dragera, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që bëhen rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Kontrollet intensive kanë qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. Gjatë javës që lamë pas, si rezultat i këtyre kontrolleve janë vendosur 1510 masa parandaluese. Janë pezulluar 2 leje drejtimi, është arrestuar në flagrancë 1 drejtues mjeti dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
20 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. 610 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, evidentuar me radar. Janë ndëshkuar 91 drejtues mjetesh për parkime të gabura. Janë ndëshkuar 783 të tjerë për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Policia e Rrugore e Korçës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.