Është mbajtur këtë të enjte në ambientet e rektoratit të universitetit “Fan Stiljan Noli” në Korçë moduli i katërt i Akademisë Verore. Tema e kësaj veprimtarie mësimore ka qënë “Historia e besimeve fetare”, ku ligjërues ishin At Vangjel Sotiri, Klerik i Mitropolisë së Korçës, Ledian Cikalleshi, Myfti i Korçës dhe Dejvid Pronjari, përfaqësues nga Komuniteti Bektashi, i Gjyshatës së Korçës. Ky modul është fokusuar në temat dhe çështjet epistemologjike në kuadrin e parimeve dhe besimeve fetare si dhe në ilustrimin kritik të metodave dhe të dhënave të kërkimit fetar. Gjithashtu në këtë modul është trajtuar edhe çështja aktuale e bashkëjetesës fetare në komunitetet heterogjene.
Si veprimtari ekstrakurrikulare në këtë ditë ishte vizita që studentet pjesmarrës kanë kryer në institucione fetare në qytetin e Korçës. Veprimtaritë mësimore të Akademisë Verore këtë të enjte kanë vijuar me një tjetër temë “Tendencat aktuale dhe qasjet e reja kërkimore në fushën e gjuhësisë ballkanike” mbajtur nga Doktori i Filozofisë Pandeli Pani.