• Sport

Futboll Lushnja-Skënderbeu/ 90 minutat e verdiktit final, Skënderbeu synon titullin kampion

Për Skënderbeun kanë ngelur edhe 90 minuta për t’u realizuar objektivi i dytë sezonal, kjo pasi kalimi në superligë është mision i plotësuar. Në fakt, korçarët i kishin të gjitha shanset që të festonin fitimin e titullit që fundjavën që shkoi ndaj Besës, por humbja minimale 0-1 i detyroi t’i drejtohen këtij objektivi në këtë ndeshje të fundit të këtij sezoni, pikërisht atë të sotmen kundër Lushnjës në transfertë.

Korçarët me synime madhore, kërkojnë të fitojnë titullin e kampionit, por duhet të bëjnë mirë detyrat përballë Lushnjës, aty ku kërkohet fitore ose qoftë edhe një barazim, për të ngritur larg kupën e kampionit të kësaj Kategorie. Nga sa mësohet, trajneri Ivan Gvozdenoviç do të hedhë në fushën e lojës formacionin më të mirë të mundshëm që ka në dispozicion.

Por ai është i kufizuar edhe nga disa mungesa pasi do të mungojnë 4 titullarë të formacionit bazë. Kështu Dean Liço mungon për arsye kartoni të kuq, ndërsa portieri Ruçi dhe dy mbrojtësit Idrizaj dhe Dumfur mungojnë për arsye dëmtimi.

Nga ana tjëtër, ekipi lagunar mendon më shumë për fazën play-out, pasi çdo lloj rezultati nuk mund të ndryshojë pozicionine tyre në klasifikim. Skënderbeu ndiqet nga Dinamo, që edhe ajo matematikisht ka siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore, por ka shanset e veta për të synuar titullin kampion, gjithnjë nëse Skënderbeu do të bëjë një tjetër hap fals në ndeshjen e sotme ndaj Lushnjës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *