• Korça

Promovohet libri “Fuçi baruti”. Dramë e autorit Dejan Dukovski, përkthyer në shqip nga Milena Selimi

Është promovuar në Korçë libri “Fuçi baruti” një dramë e autorit të mirënjohur Dejan Dukovski, nga Maqedonia e Veriut, përkthyer në shqip nga Milena Selimi. “Fuçi baruti” nuk është vetëm një shpalosje e natyrës ballkanase, e kontradiktës dhe absurdin që gjallon jetën e komuniteteve dhe kulturave në kontakt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën. Ky tekst shenjon edhe tejkalimin gjuhësor, për të shkuar pranë një realiteti mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet midis kulturës shqiptare dhe asaj maqedonase. Përkthyesja e librit Milena Selimi thotë se arsyeja kryesore pse zgjodhi këtë vepër për ta sjellë në shqip është se kjo dramë përcjell mesazhe universale dhe njëkohësisht shqipërimi i kësaj drame është një thirrje për teatrin për të përcjellë mesazhet social-politike të rajonit nëpërmjet vënies në skenë.

Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të punës me Institutin e Librit dhe Promocionit në Shqipëri, i cili është pjesë e projektit READ, Rrjeti Rajonal për Diversitet Kulturor, organizata “Aktivizmi Letrar dhe Kultutor” bëri të mundur botimin e dramës së autorit Dejan Dukovski në gjuhën shqipe.

Promovimi i librit “Fuçi baruti” u organizua nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në universitetin “Fan Noli”. Kjo veprimtari u organizua në kuadër të nismës “Fqinjët përballë pasqyrës” në zbatim të projekteve shumëgjuhësore të mbështetura nga Rrjeti Rajonal për Diversitet Kulturor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *