• Korça

Pajisja e fermerëve me NIPT. Prej janarit janë pajisur me NIPT 1227 fermerë nga qarku i Korçës

Nga 1 janari i vitit 2023 e deri në fillim të muajit prill 1227 fermerë në qarkun e Korçës janë pajisur me NIPT. Një gjë e tillë është bërë me dije nga burime zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë, nga ku mësohet gjithashtu se gjatë gjithë vitit 2022, nga ana e kësaj drejtorie janë pajisur me NIPT më shumë se 4 mijë fermerë. Ashtu si edhe vitin e kaluar gjatë kësaj periudhe interesimi i fermerëve është më i madh për t’u formalizuar dhe për tu pajisur me NIPT-in përkatës, edhe për faktin se ky është kriteri kryesor për të qenë përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.

Deri tani nga qarku Korçë, mësohet të kenë aplikuar 10 mijë e 200 fermerë vetëm për masën mbështetëse të naftës dhe 1800 aplikime janë për masat e tjerat. Numër ky që pritet të jetë më i madh deri në mbylljen e afatit zyrtar të aplikimeve që është data 11 prill. Në qarkun e Korçës sipas Vullnet Gjolla drejtor i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, janë më shumë se 43 mijë familje fermerësh, prej të cilëve vetëm 17 mijë e 700 fermerë janë të pajisur me NIPT. Sipas Gjollës fermerët me sipërfaqe të vogla toke, nuk janë të interesuar për tu pajisur me NIPT, kjo për dy arsye.

Së pari duke pasur sipërfaqe të vogla e kanë të vështirë, pa thënë të pamundur të hyjnë në marrëdhënie me të tretë për shitjen e prodhimit të tyre. Dhe ajo që është më kryesorja prodhimin e përfituar nga sipërfaqet e reduktuara që kanë në pronësi e përdorin për nevoja familjare. Pavarësisht kësaj Korça është ndër qarqet me numrin më të madh të fermerëve të pajisur me NIPT, si një ndër zonat kryesore të prodhimit bujqësor në vend, ku numrin më të madh të tyre e ka bashkia e Devollit e cila pasohet nga ajo e Maliqit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *