Partizani, Skënderbeu, Tirana dhe Vllaznia janë katër skuadrat që do të luajnë ndeshjet e play-off-it, takime që përcaktojnë edhe ekipin kampion për sezonin 2022-2023 në volejboll për femra. Në bazë të renditjes së dy fazave të Kampionatit Kombëtar, çiftet e krijuara janë Partizani, i renditur në vendin e parë dhe Vllaznia, skuadër e vendit të katërt. Ndërsa Skënderbeu i vendit të dytë, në këtë fazë të play-off-it luan me Tiranën e vendit të tretë. Në qoftëse se për Partizanin takimet e kësaj faze priten të jenë të lehta, krejt ndryshe do të jetë situata me çiftin Skënderbeu-Tirana, ekipe që një sezon më parë kanë diskutuar së bashku titullin kampion.
Ndryshe nga kampionati i kaluar Tirana e këtij sezoni do ta ketë të vështirë për të rivalizuar korçaret e rrjetës, pasi Tirana nuk ka cilësinë e një viti më parë, ndërkohë që Skënderbeu jo vetëm që ka një skuadër më cilësore se një sezon më parë, por këtë sezon ka fituar njëra pas tjetrës tre trofe. Trajneri Orlando Koja më shumë se tek përballja me Tiranën e ka mendjen tek ndeshjet finale me Partizanin, skuadër të cilën e ka mundur tre herë rradhazi në Ligën “Gjergj Kastrioti”, Kupën e Shqipërisë dhe në fazën e dytë të Kampionatit. Megjithatë Koja nuk ka dëshirë të nxitohet ndaj thotë se edhe Tirana e këtij sezoni duhet vlerësuar, pasi ndeshjet e volejbollit kanë brenda tyre të papritura të mëdha. Takimi i parë Skënderbeu-Tirana luhet këtë të shtunë në Korcë në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”, një mundësi e mirë kjo që korçaret ta fillojnë me fitore e më pas të mendojnë ndeshjen e dytë që luhet pas pak ditësh në kryeqytet. Trajneri Orlando Koja ka dëshirë të shikojë një pallat sporti të mbushur dhe kërkon mbështetjen e tifozerisë. Edhe vetë tifozët korçarë janë në të njëjtën linjë me trajnerin e vajzave korçare kur thonë se të gjithë së bashku duhet të jemi nëser në mbështetje të Skënderbeut.
Ndeshja gjysmëfinale e vlefshme për Kampionatin Kombëtar në volejboll për femra mes Skënderbeut dhe Tiranës, do të luhet nesër në orën 17:00 në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” në qytetin e Korçës.