Vendi ynë vijon të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të paqëndrueshme me origjinë polare. Depërtimi i këtyre masave ajrore është jo i zakonshëm për periudhën që ndodhemi pasi janë karakteristike të muajit Dhjetor apo Janar. Për këtë arsye gjatë kësaj jave qarku i Korçës është shoqëruar jo vetëm me ditë me reshje shiu, por madje dhe reshje dëbore si dhe rënie të temperaturave si në vlerat e mëngjesit ashtu dhe ato të mesditës.
Kështu duke nisur nga dita e hënë moti ka qënë kryesisht i vranët i shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Ndërkohë në relievet malore ka patur edhe reshje dëbore. Më pas e marta ka patur një mot kryesisht me kthjellime por nuk kanë munguar edhe alternimet e herëpashershme të vranësirave deri të dendura. Këto vranësira janë shoqëruar kryesisht me reshje shiu me intensitet të ulët dhe lokalisht shtrëngata afatshkurtra. Burime zyrtare nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëjnë me dije se edhe në ditët në vijim, deri ditën e premtë moti do të jetë i paqëndrueshëm, me alternime vranësirash dhe intervale kthjellimesh.
Teksa në relievet e larta malore në lartësitë mbi 1200 metër reshjet e dobta do të jenë në formën e dëborës. Sa i përket temperaturave, prej fillimit të javës kemi patur një ulje të tyre, për shkak masave ajrore të ftohta dhe prezencës së erës. Të premten do të shënohen temperaturat më të ulëta, ku sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në qarkun e Korçës pritet të shënohen vlerat -4 dhe 10 gradë Celsius. Fundjava do të ketë sërish një mot të alternuar, ku nuk do të mungijnë reshjet e shiut, por pritet një përmirësim i temperaturave.
Po sipas të njëjtave burime deri në mesin e muajit prill moti do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të paqëndrueshme, me alternime kthjellimesh dhe vranësira deri të dendura kryesisht përgjatë relieveve malore, por temperaturat do vijnë duke u rritur.