Reshje dëbore në 48 orët e fundit në zonat e thella malore të juglindjes së vendit. Reshje që kanë qënë me intensitet të ulët në lartësinë mbi 1200 metra. Ndonëse reshjet kanë qenë me intensitet të ulët, temperaturat kanë shkuar deri në -1 gradë Celsius. Gjatë këtyre orëve dëborë ka pasur edhe në fshatin turistik të Dardhës, por duke qënë se dëbora është shoqëruar edhe me reshje shiu nuk ka shkaktuar probleme me lëvizjen e mjeteve. Reshjet më të shumta kanë qënë në majë të Bigllës, në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë, aty ku është dashur jo vetëm ndërhyrja e borëpastrueseve por edhe kriposja e rrugës, për ta mbajtur qarkullimin në normalitet.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se nga reshjet nuk ka pasur probleme në qarkullim edhe në zonat e thella malore të njësisë administrative Vithkuq, pasi reshjet e borës kanë qënë me intensitet të ulët dhe të shoqëruara me reshje shiu. Autoriteti Rrugor Shqiptar sektori Korçë, rekomandon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar duke lëvizur me shpejtësi të reduktuar dhe të jenë të pajisur me goma dimërore nëse do të udhëtojnë në zonat malore, si dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Nga ana tjetër burime pranë OSHEE-së kanë bërë të ditur se probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur një ditë më parë në një pjesë të zonave malore, por grupet e punës kanë bërë të mundur riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike në ato zona dhe fshatra ku ka pasur ndërprerje të energjisë.