Arkitekti i njohur Vladimir Bregu, projektues i Pallatit të Kongreseve dhe bashkëautor i projektit të Piramidës është ndarë papritur nga jeta ditën e sotme. Vitet e fundit Bregu i kaloi mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Përveçse profesor i arkitekturës dhe i vlerësuar shumë nga studentët e tij për qetësinë, maturinë, për dashurinë për profesionin, Bregu ka qenë edhe në grupin e projektimit të Piramidës në kohën që ajo u ndërtua.
Ndërsa në kohën e demokracisë, shumë prej objekteve kryesore në Tiranë dhe Korçë janë projektuar prej arkitektit ambicioz, duke përfshirë traditën e objekteve me elemente modernë dhe duke shfrytëzuar maksimalisht hapësirat.
Projekti i fundit që ka lënë në letër, që nuk është zbatuar dhe me gjasë nuk do të zbatohet për shkak të kërkesës ndryshe të autoriteteve, është ai i Stadiumit “Selman Stërmasi” që kohë më parë është prezantuar edhe nga klubi i futbollit, por që prej vitesh tashmë dergjet në sirtaret e klubit pa parë as dritën e botimit.
Ndër shumë projekte të tij, janë edhe City Center në hyrje të Korçës dhe ndertesa e njohur me emrin Kubi në qytetin tonë.