Kategoria Superiore ka luajtur të dielën dy takimet e fundit të javës së saj të 27-të, që ishte njëkohësisht edhe java e fundit e fazës së 3-të, çka nënkupton se niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur tashmë ¾-tat e sezonit. Në ndeshjen e luajtur më herët, Kastrioti ka mundur në mënyrë dramatike Laçin, me shifrat 2-1, me golin e fitores së krutanëve që ka ardhur në minutën e 4-t shtesë. Ndërkaq, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt në kanalin sportiv, RTSH Sport, ndeshjen që uli në mbrëmje siparin e javës së 27-të të Kategorisë Superiore, asaj midis Tiranës dhe Erzenit.
Kjo sfidë, që premtonte rivalitet, pasi bardheblutë kërkonin fitoren për të ruajtur hapin e kreut me rivalen kryeqytetase, Partizanin, ndërsa Erzeni për të mbetur në gjysmën e sipërme të renditjes, ka parë një pjesë të parë të luftuar dhe kur rastet për shënim nuk kanë munguar për secilën skuadër, por ai që ka munguar ka qenë goli. Për rrjedhojë, 45 minutat e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura. Por ato të dytat kanë nisur praktikisht me gol, pasi Florent Hasani ka përfituar nga një goditje këndi, duke e dërguar topin në rrjetë me kokë në minutën e 48-të.
Erzeni do të hidhet në sulm për të gjetur barazimin, dhe pasi Nonatos i është mohuar 3 minuta më herët goli nga Bekaj, në të 72-tën, Enk do të fitojë duelin ajror dhe do të përshëndesë rrjetën.
Por festa e shijakasve zgjat pak, pasi brenda 3 minutash Tirana është rikthyer në epërsi, falë një tjetër goli të Hasanit.
Loja në vijim do të shohë Tiranën të administrojë epërsinë, madje ta thellojë atë në minutën e parafundit të kohës së rregullt, me Florent Hasanin që plotëson kështu 3-golëshin e tij në këtë ndeshje dhe ngjitet në kuotën e 14 golave këtë sezon.
Përtej përpjekjeve të Erzenit, që ndalet në fund edhe shtylla horizontale e portës bardheblu, Tirana e fiton ndeshjen 3-1 dhe i bashkohet Partizanit në krye të renditjes në mbyllje të fazës së 3-të.