• Korça

Mblidhet Këshilli Bashkiak Korçë. Projekti “Korça Riciklon” do të shtrihet edhe në 3 lagje të tjera të qytetit

Është zhvilluar këtë të enjte mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak Korçë, ku janë diskutuar dhe miratuar projektvendimet e rendit të ditës. Ndër të tjera është miratuar vendimi për dhënien e ndihmës ekonomike nga 6% e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike dhe nga fondi i buxhetit vendor për muajin shkurt të këtij vitit. Gjithashtu është miratuar lista e familjeve që përfitojnë nga programi social i strehimit “Subvencionimi i interesave të kredisë” si dhe vendimi për miratimin e subvencionimit të qerasë për familjet e pastreha.

Një ndër projektvendimet e diskutuara në këtë mbledhje ka qënë ajo për miratimin e planit vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Ky vendim konsiston në një plan të detajuar për rritjen e ndërgjegjësimit të banorëve për rëndësinë e ndarjes së mbetjeve që në burim dhe riciklimin e tyre. Përmes këtij vendimi synohet që projekti “Korça Riciklon”, i cili po zbatohet prej vitit 2017, në 5 lagje të qytetit, të shtrihet në gjithë territorin e Bashkisë së Korçës.

Gjithashtu në këtë mbledhje të rradhës së Këshillit Bashkiak Korçë janë miratuar edhe kriteret për përzgjedhjen nëpërmjet konkurrimit të subjektit që do të kryejë transportin qytetas me subvencion, si dhe është dhënë informacion mbi analizën e sondazhit në lidhje me prioritetet e publikut për projektbuxhetin afatmesëm 2024-2026.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *