Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tarifa”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Burime zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kanë bërë të ditur se si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi me iniciale M. H., 19 vjeç, banues në Kavajë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi N. Ç., 21 vjeç, banues në Kavajë. 19 vjeçari me iniciale M. H. është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me automjetin tip “Benz”, kundrejt fitimit 500-1000 euro për person, 6 shtetas të huaj, të cilët kishin si qëllim kalimin e paligjshëm drejt vendeve të BE-së.
Nga hetimet e kryera rezultoi se bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale ishte edhe shtetasi N. Ç., i cili monitoronte rrugën për të sinjalizuar 19-vjeçarin në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.