Aktori i shquar i Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare Vangjush Furrxhi lindi në Korçë, më 24 mars. Pasi mbaroi shkollën e lartë punoi si aktor në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, deri në vitin 1972 dhe më pas si pedagog dhe përgjegjës i katedrës së regjisurës, koreografisë dhe menaxherëve të artit në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitet 1992-1994 ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, më pas punoi në sektorin e kulturës në Prefekturën e Tiranës. Ka kryesuar Shoqatën e Artistëve të Skenës për disa vjet. Aktrimi i tij u shqua për vërtetësi në mishërimin e karaktereve të ndryshme, sidomos të atyre që vinin nga shtresat sociale të nënpunësve e intelektualëve.
Në vitet ’60-’80 ai realizoi disa karaktere origjinale në mënyrën e shprehësisë së tyre artistike, ku dalloi me rolin e Luanit në dramën “Njollat e murrme” me të cilin u vlerësua me Kupën e Festivalit të Teatrove si Aktori më i mirë. Vangjush Furrxhi ishte nga aktorët më të spikatur të kinematografisë. Ndër figurat mbresëlënëse që krijoi në kinematofrafi janë: Arifi në filmin “I teti në bronz” (1970), “Peliçeli në filmin “Malet me blerim mbuluar” (1971), Kiço Pela në filmin “Njeriu i mirë” (1982), Latif Bora në filmin “Agimet e stinës së madhe” (1981) me të cilin ka fituar Kupën e Festivalit V të Filmit Shqiptar.
Me rolin e Besian Vorpsi në filmin “Të paftuarit”, nderuar me Medaljen e Festivalit VII të Filmit. Rol ky që solli një tjetër kah në interpretimin e Vangjush Furrxhiut. Në karrierën e tij si aktor i Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare ka fituar disa çmime. Vangjush Furrxhi ka shkruar artikuj e shkrime për teatrin, kinematografinë, me mbi 60 njësi bibliografike të botuara apo të kumtuara. Ai ishte hartues i disa programeve mësimore në Akademinë e Arteve, si dhe bashkëautor i tekstit “Mjeshtëria e Aktorit”. Ka dhënë një ndihmesë të vyer pedagogjike në përgatitjen e studentëve të aktrimit dhe regjisurës qysh nga viti 1972 e derisa vdiq nga një sëmundje e pashërueshme, duke ndikuar kështu në rritjen e kërkesave dhe cilësisë artisike. Mbante titullin shkencor profesor, si dhe titullin “Artist i Popullit”. Pas vdekjes, Vangjush Furxhiut iu dha edhe titulli “Mjeshtër i madh”.