255 subjekte kanë qenë pjesë e kontrolleve të Policive Bashkiake, mbi prodhimin dhe tregëtimin e qeseve plastike, konform ligjit në fuqi. Prej datës 1 Qershor të vitit të kaluar, hyri në fuqi Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. Ky ligj parashikon ndalimin e prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike njëpërdorimshe me trashësi më të vogël se 70 mikron dhe kapacitet më pak se 10 kilogramë.
Sipas ndryshimeve ligjore, importimi, prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve që nuk plotësojnë standardet e reja dënohet me gjobë, me sekuestrim të qeseve dhe deri në heqje të licencës së aktivitetit. Prefekti i Qarkut Korçë Nertil Jole, në zbatim të përcaktimeve ligjore si dhe pasi është njohur me Urdhërin e Kryeministrit “Për përbërjen, mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Task-Forcës për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e Republikës të Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme”, ka zhvilluar më herët dy takime me përfaqësues të Task-Forcës, bizneseve që prodhojnë qese plastike dhe drejtuesit e strukturave të Policive Bashkiake në rang qarku.
Në këto takime u ra dakord që brenda muajit Shkurt të ndërmerrej një fushatë komunikuese e ndërgjegjësuese në tregje dhe subjekte private për të garantuar zbatimin e legjislacionit në fuqi. Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për Policinë Bashkiake”, kësaj të fundit i është shtuar kompetenca e verifikimit të respektimit të normave ligjore në lidhje me përdorimin në tregje të qeseve plastike të degradueshme. Në këtë kuadër, po kryhen kontrolle të vazhdueshme në të gjithë Qarkun, ku një vëmendje e veçantë i është kushtuar tregjeve të tregëtimit me shumicë e pakicë.
Burime nga Prefektura Korçë bëjnë me dije se në zbatim të përcaktimeve ligjore, janë njoftuar 5 subjektet prodhuese që ushtrojnë aktivitetin në Qarkun e Korçës mbi ushtrimin e kontrolleve të herë pas herëshme nga Task-Forca e ngritur me urdhër të Kryeministrit.