Kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo ka zhvilluar një takim me femerët, për t’i nxitur ata që të aplikojnë për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi. Kryebashkiaku Filo ka bërë me dije se përveç zyrave të Agjencisë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor dhe tek agropika, fermerët mund të kryejnë aplikimet edhe tek sportelet e të gjitha njësive administrative të bashkisë Korçë.
Të shumtë kanë qënë fermerët të cilët i janë drejtuar njësisë administrative Mollaj për të kryer aplikimin e tyre. Ata shprehen se kanë qënë përfitues të masave mbështetëse edhe gjatë viteve të kaluara.
Prej hapjes së aplikimeve për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi, vetëm pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Korçë janë kryer më shumë se 1100 aplikime, ndërkohë që pjesa tjetër e fermerëve kanë aplikuar pranë agropikës, njësive administrative ose vetë përmes portalit e-albania.