Pas fitores së një jave më parë në shtëpi me ekipin e Tomorit Skënderbeu luan të shtunën një ndeshje aspak të lehtë ndaj Besëlidhjes në transfertë. Korçarët kërkojnë fitoren për të mos e lëshuar vendin e parë në renditje. Të njëjtën gjë kërkojnë edhe lezhjanët pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores rrit rrezikun e qëndrimit në kategorinë e parë për vetë faktin se Besëlidhja ndodhet në fundin e renditjes.
Këtë javë në vlorë përballen Flamurtari dhe Dinamo, ndaj edhe për këtë Skënderbeu kërkon të përfitojë për tu shkëputur sa më shumë nga ndjekësit më të afërt që kërkojnë gjithashtu kalimin në Superiore. Një gjë e tillë mund të bëhet e mundur vetëm nëse korçarët e Ivan Gvozdenoviç kthehen me tre pikë nga Lezha. Edhe për ndeshjen e së shtunës mbetet në dyshim aktivizimi i Moraesh në mesin e fushës ndërkohë që trajneri ka bërë me dije se në këtë takim mund të ketë ndryshime në vendosje e diçka më shumë në mënyrën e interpretimit të lojës.
Këtë javë me interes priten edhe ndeshjet e Kategorisë së Dytë. Në veçanti ajo që luhet në Bilisht mes Devollit dhe Maliqit. Ajo që e bën më interesante këtë takim është fakti se Devolli pas humbjes në transfertë me Shkumbinin rezikojnë jo pak fazën finale të kësaj kategorie.
Nga ana tjetër Maliqi kërkon pikë për të qëndruar në këtë kategori. Një ndeshje tjetër interesante është ajo që luhet në pogradec, atje ku liqenorët presin butrintin. Të besuarit e Nikajt shpresojnë ende për kalimin në Kategorinë e parë ndaj edhe për këtë nuk kërkojnë rezultat tjetër veç fitores.
Por sarandjotët duan të paktën një pikë për të qëndruar mes pesë ekipeve më të mira në këtë kategori. Trajneri Samuel Nikaj e vlerëson ndeshjen si një prej takimeve më të forta të shtatë javëve të mbetura.