Dita Botërore e Ujit e cila organizohet çdo vit në 22 Mars ka si qëllim të rrisë vëmendjen mbi rëndësinë që ka uji, si dhe marrjen e masave për të adresuar krizën globale të ujit. Në kuadër të kësaj dite me sloganin “Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë” Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Korçë, ka zhvilluar një fushatë ndërgjegjësuese, në zonën këmbësore të qytetit, në lidhje me rëndësinë e ujit dhe kujdesin që duhet treguar në mënyrën e menaxhimit të tij.
Prej gati 20 vitesh Korça është një qytet model sa i përket shërbimit të furnizimit më ujë të pijshëm, duke u siguruar qytetarëve të vet ujë 24 orë. Me rajonalizimin e Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizime synimi është që ky model të shtrihet edhe tek njësitë e tjera.
Prej vitit 2003 falë një investimi të madh qyteti i Korçës ka 24 orë ujë të pijëshëm, duke ofruar siguri, qëndrueshmëri dhe garanci për qytetarët të cilët shprehen të kënaqur për këtë shërbim.
Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Korçë siguron shërbimin e furnizimit me ujë për Bashkinë e Korçës dhe njësitë e tjera të marra në administrim. Gjithashtu kompania siguron shërbimin e grumbullimit, trajtimit dhe shkarkimit të ujërave të përdorura.