Kjo është shtëpia ku 151 vite më parë ka lindur poeti, publicisti dhe veprimtari i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, autori i Himnit të Flamurit, që është Himni Kombëtar i Shqipërisë, Aleksandër Stavre Drenova i njohur më së shumti me pseudonimin Asdreni. Ai lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 11 prill të vitit 1872 në një familje të varfër fshatare.
I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Mori pjesë në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Asdreni nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX.
Me emrin e Asdrenit lidhet edhe studiuesi dhe intelektuali i madh shqiptar, profesor doktor Rexhep Qosja, i cili ka nxjerrë në dritë tërë trashëgiminë letrare e publicistike të Aleksandër Stavri Drenovës dhe ka bërë që vepra e tij meritore të zërë vendin e vet në panteonin e letërsisë shqiptare.
Ky 11 prill shënon 151-vjetorin e lindjes së Aleksandër Stavre Drenovës. Ai është një personalitet i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm si atdhetar i zjarrtë i çlirimit dhe bashkimit të Shqipërisë por edhe si poet romantik e realist. Asdreni është një prej figurave më të ndritura të historisë, kulturës e mendimit shqiptar.