• Lajme kombëtare

Vijojnë kërkimet në Shpirag/ Ministria e Infrastrukturës: S’ka mbyllje kërkimesh, “ari i zi” është gjetur, problem formacioni gjeologjik

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes një deklarate për mediat ka hedhur poshtë dezinformimet e ditëve të fundit që flisnin për dështimin dhe mbylljen e kërkimeve nga kompania SHELL në nëntokën e Shpiragut. Në këtë deklaratë ministria sqaron se ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për shfrytëzimin e pasurisë nëntokësore të zbuluar.

Procesi i kërkimeve për naftëgazmbajtjen në zonën e Shpiragut, si një ambicie strategjike dhe program afatgjatë i Qeverisë Shqiptare, nisur me miratimin e Kontratës me Ndarje Prodhimi në Korrik 2009, vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone.

Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme.

Por në kushtet e diziformimit të ditëve të fundit, nga mungesa e informacionit të nevojshëm apo dashakeqësia me frymëzim politik, del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.

Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dizinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar. – thuhej veç të tjerash në këtë deklaratë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *