Kolonja vijon të jetë e preferuara e turistëve edhe stinën e verës, pasi me freskinë që e karakterizon, natyrën e bukur dhe ushqimet tradicionale, kjo zonë po vizitohet gjithmonë e më tepër nga vendasit dhe të huajt. E gjithë rruga që lidh Korçën me Kolonjën të ofron një pamje panoramike dhe çlodhëse. Gjelbërim pafund dhe male të bukura të shoqërojnë gjatë udhëtimit, ndërsa me rrugën e re tashmë të aksesueshme, distanca nga Korça drejt Ersekës është vetëm 30 minuta.
Rruga e re ka shkurtuar ndjeshëm distancën me të gjitha pikat turistike të Kolonjës dhe vizitorët mund të shkojnë drejt Llixhave të Sarandoporit, drejt Shelegurit, apo drejt Leskovikut për jo më shumë se 1 orë e 30 minuta, duke shijuar të gjitha magjitë që natyra të ofron në këtë zonë. Në vitet e fundit, e gjithë zona e Kolonjës ka marrë një hov të madh zhvillimi dhe po preferohet gjithmonë e më shumë sidomos nga turistët e huaj.