Burgu më i ri që i shtohet sistemit të institucioneve të vuajtjes së dënimit në vend është ai i Pojskës, i cili pritet që të hapet në verë duke pritur të dënuarit e parë. Risia e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, është se do të shërbejë për personat mbi 60 vjeç. Në prag të nisjes nga puna, Ministria e Drejtësisë ka zyrtarizuar edhe drejtorin e burgut të Pojskës, i cili do të jetë Durim Toska. Ai ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Kontrollit të Territorit në Bashkinë Pogradec për 4 vite dhe më herët ka qenë në detyrën e shefit të rendit në Maliq.
Kujtojmë se puna për rikonstruksionin e godinave dhe përshtatjen e tyre në një institucion të vuajtjes së dënimit në Pojskë nisi gjatë vitit 2020. Qendra është vlerësuar si burg i sigurisë së ulët, në të cilën parashikohen të vendosen rreth 110 të dënuar të moshës së tretë të cilët kanë marrë dënime të lehta dhe aktualisht vuajnë dënimet nëpër IEVP të ndryshme, si dhe 90 pjesëtarë që do të jenë stafi mjekësor, administrativ dhe policor.