• Lajme kombëtare

Pensionet private, anëtarëve u lehtësohen taksat

Ministri i Financave, Ervin Mete, ka paraqitur të enjten në parlament ligjin e ri për pensionet private.

Zoti Mete i cili deri tani ka qenë kreu i Autoritetet të Mbikqyrjes Financiare, tha se ligji përmirëson mënyrën e organizimit të fondeve që operojnë në Shqipëri, rrit transparencën, por mbi të gjitha ofron lehtësi fiskale për të gjithë ata qytetarë që bëhen pjesë e tyre për të siguruar të ardhura shtesë me mbërritjen e moshës së pensionit.

Aktualisht në Shqipëri operojnë pesë fonde pensionesh private, pjesë e të cilëve janë mbi 37 mijë qytetarë.

Në total, vlera e aseteve në skemat e pensioneve private ka arritur mbi 58 milionë euro. Këto fonde shtohen vazhdimisht pasi përpunohen profesionalisht nga zotëruesit e tyre. 

Me daljen në pension qytetarët përfitojnë si nga skema e detyrueshmme e pensioneve, ISSH ashtu edhe nga skema e pensioneve private.

Fondet e pensionit janë instrumenta financiarë, që ofrojnë siguri përmes risigurimit. Sipas statistikave, këto fonde kanë kthime, më të larta se skema publike, të cilat variojnë nga 5.3% në 2013-ën në 3.67% në 2021.

Pensioni privat po merr vëmendje, si një zgjidhje alternative për moshën e tretë. 

Kjo nisur nga fakti që skema e pensioneve publike siguron pak të ardhura për shkak të problemeve që po has. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se janë vetëm 1.4 kontribues për 1 pensionist, ndërsa Buxheti i Shtetit çdo vit detyrohet të paguajë më shumë lekë në fondin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. 

Pensioni mesatar në Shqipëri vlerësohet të jetë rreth 9 500 lekë, një shumë e vogël krahasuar edhe me minimumin jetik të përcaktuar në 17 500 lekë nga një studim i Avokatit të Popullit. 

/korca.rtsh.al /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *