Naum Bredhi i njohur si Naum Veqilharxhi (Vithkuq, 1797 – 1846) ka qenë një avokat dhe studjues shqiptar. Më 1844 krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe, quajtur Alfabeti i Vithkuqit. Veqilharxhi është ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare, dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.
U lind në Vithkuq, pranë Korçës, më 6 dhjetor 1797. Familja e tij e trashëgoi mbiemrin Veqilharxhi nga pozita (mbikëqyrës i harxheve, llogarive) që i ati, Panajoti, kishte në oborrin e Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Ka të ngjarë që Naumi mësimet e para t’i ketë marrë në shkollat angleze ndër ishujt jonianë.
Pas shkatërrimit të Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Në Brăila u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Më 1824 ose 1825, nisi të krijonte alfabetin e tij për gjuhën shqipe. Varianti përfundimtar i alfabetit të tij me tridhjetetre shkronja sajuar prej tij, u botua për të parën herë më 1844-5 titulluar Evëtori Shqip Fort i Shkurtër. Veqilharxhi shmangu përdorimin e shkronjave greke, latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe prej rrezikut se mund të ndillnin përçarje mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Ëvetori i Veqilharxhit u përhap fillimisht në Korçë e më pas deri në Përmet dhe Berat, ku gëzoi përdorim të madh.
Më 22 prill 1845, Athanas Paskali në një letër i kërkoi Veqilharxhit që të niste sa më shumë kopje që ta kishte të mundur. Sipas historianëve, botimi i këtij vëllimi shënjon fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Më 1845 Veqilharxhi i dërgoi një letër polemizuese të nipit në gjuhën greke, që ia kish quajtur idetë e tij kimerike: letra çmohet ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare. Mendohet se Veqilharxhi vdiq prej një helmimi nga Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës.