Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë takuar këtë të hënë në Tiranë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit me qëllim promovimin e dialogut politik, bashkëpunimi dhe pajtimi në rajon, si dhe afrimin me BE-në, ku vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë anëtarësimin në bllok. Piramida është zgjedhur si vendi ku mbahet samiti i 9-të i Procesit të Berlinit në Tiranë dhe ku janë mbledhur liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së. Për mbarëvajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit janë marrë një sërë masash nga ana e policisë e cila ka angazhuar 1604 efektivë, ndërsa ka mbyllur një sërë aksesh kryesore rrugore, duke krijuar një perimetër sigurie mjaft të gjerë.
Procesi i Berlinit ka katër objektiva të deklaruara që në fillim të këtij procesi dhe që mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit. Arritje të tjera të Procesit të Berlinit janë Korsitë e Gjelbërta, brenda rajonit dhe ndërmjet tij dhe vendeve anëtare të BE, që kanë lehtësuar rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal.