Festat e nëntorit janë festuar edhe në Amerikën e largët nga bashkëatdhetarët që jetojnë e punojnë aty prej vitesh. Në Boston Masachusets, prej vitesh funksionon qendra Vatra, aty ku më shumë se 100 të moshuar nga Korça por edhe nga rrethe të tjera të vendit kalojnë një pjesë të ditës duke u argëtuar me organizime të ndryshme. Festa e 28 nëntorit ka qenë e veçantë për këtë komunitet, pasi qendra Vatra rezervoi një aktivitet festiv, ku nuk kanë munguar këngët patriotike, vallet popullore e recitimet e poezive të ndryshme.
Në çelje të aktivitetit disa nga organizatorët kanë mbajtur fjalën përshëndetëse duke shprehur edhe mallin e dashurinë për vendlindjen.
Flamuri kuq e zi, simboli i kombit shqiptar, këtë vit është krijuar nga vetë pjesëtarët e qendrës Vatra, të cilët e kanë punuar me materiale të riciklueshme. Kodi i veshjes për këtë event ka qenë kuq e zi, ndërsa disa nga pjesëmarrësit kanë zgjedhur që të veshin edhe kostume popullore duke i dhënë edhe më tepër larmi festës. Kanë qenë të shumtë qytetarët që kanë dëshiruar të urojnë festat e nëntorit për bashkëatdhetarët e tyre përmes ekranit të RTSH Korça:
Nën ritmin e këngëve e valleve popullore bashkëatdhetarët në Boston kanë kaluar disa orë të gëzueshme me rastin e festës së 28 nëntorit.